Eminenca Gri e firmes Ismajli


Edhe pse ka pasur mundësi të shumta të jetë e famshme, Ema Ismaili, motra e Adelinës dhe Zanfinës, gjithmonë ka dashur të qëndrojë “prapa perdeve”, ngase kjo për të është “më atraktive”.
Ekstravagantja dhe rebelja e “firmës” Ismaili, Ema, gjithmonë ka qenë pjesë e punës së motrave të saj, mirëpo, asnjëherë për vete nuk ka tentuar ta gjejë famën ngase, siç thotë ajo “në vendin dhe kohën në të cilën jetojmë, fama është barrë e kotë”.
“Kurrë nuk kursehem t’u ndihmoj motrave në strategji, punë, planifikime, posaçërisht në trendët aktuale të imazhit. Guxojë të them se paraprakisht ‘nuhas’ meloditë që do të bëhen hite – këtë ma ka thënë Adelina”, ka thënë Ema, për “Telegrafin”.
Ema, është vajza e vetme e familjes Ismaili, e cila qëndron prapa “perdeve” dhe e cila, në një mënyrë, e kontrollon punën e motrave të saj.

Ema, e cila në publik njihet dhe si eminenca gri e “firmës” Ismaili, është një person objektiv në familje e cila gjykon se si duken motrat përpara publikut, si tingëllon një këngë, dhe si duhet ruajtur suksesin.
Ajo tash është studente në kolegjin “Fama”, kurse ka mbaruar shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës. “Në këtë moment, për mua, primar është fakulteti”, thotë Ema.

“Ajo që na dallon dukshëm mua dhe Adelinën e Zanfinën, është karakteri”, thotë Ema. Sipas saj, “frenat” e Adelinës dhe Zanfinës, kurrë nuk i ka pasur në dorë ajo. “Frenat gjithmonë kanë qenë në duart e tyre – por është fakt që u ndihmoj në menaxhimin e punëve te tyre, aspak të lehta, duke ndihmuar pa kompromis”, ka thënë Ema.


